Banorët e Katund Sukthit, prej disa javësh po përballen me pasigurinë e tyre. Ata kanë frikë të flenë natën pasi ndihen të pasigurt nga vjedhja e banesave. Ata shprehen se hajdutët po futen nëpër shtëpi dhe ditën edhe kur ka njerëz. Pavarësisht se kanë bërë denoncime, pavarësisht se natën qarkullon patrulla e policisë, rreziku i vjedhjeve nuk është ulur.
“Nuk e di sesi janë bërë këto njerëzit e sotëm, kemi frikë të qëndrojmë në shtëpinë tona. Frikë ditë e natë. Mbrëmë hynë e vodhën shtëpinë e fqinjes përballë, ajo është e moshuar, jeton vetëm se i ka në emigracion fëmijët. Brënda këtij muaji e kanë vjedhur 2 herë. Vjen policia, gjurmë ka, por nuk kemi prova thonë, e hajdutët lëvizin qark. E çfarë të them unë tjetër, vjen policia kontrollon në lagjie natën, por asgjë. Lagjia jonë këtu, dhe lagjia tjetër pak më para jemi më të pasigurta. Kemi frikë se mos na vrasin, mirë që na vjedhin. Nuk e di, këtu është bërë të ikësh sa hap e mbyll sytë, po ku të shkojmë.”- u shpreh z.S.Shahini, banorë i Katund Sukthit.
Edhe banorë të tjerë shprehin po të njëjtin problem. Ata na pohuan se deri sa të arrestohen fajtorët, ata do të ndihen të pasigurtë dhe mosbesues ndaj autoriteteve policore, që sipas tyre nuk po e bëjnë punën e tyre si duhet.
Marsida Koka-Korespondente Njësia Administrative Sukth